Mosrrjedhshmëria dhe trajtimi

Të folurit është një nga aspektet më të rëndësishme të jetës së njeriut.

Fjalët e para fëmija i thotë midis moshës 9-18 muaj. Vonesa e shfaqjes së fjalës së parë pra mbi 18 muajsh është shpesh treguesi i një problemi dëgjimor, mendor, apo afektiv. Pas fjalës pasurimi i fjalorit është i ngadalshëm. 2 vjeç kemi rreth 20 fjalë. 2-4 vjeç bëhet pasurimi dhe deri 6 vjeç 2200-2500 fjalë.

 Në moshën 2-4 vjeç fëmija ndërton themelet e të folurit të tij të ardhshëm. Në këtë moshë vështirësia për të mos shprehur mendimin haset shumë. Ajo karakterizohet si pamundësia e koordinimit të mendimit me të folurit, kjo quhet mosrrjedhshmëri që ndryshon nga bëlbëzimi ku problemi qëndron në tingullin, rrokjen e fjalës apo difektin e lindur te aparatit folës.

 Kujdes – Prindi duhet ta ndihmojë e jo ta mësojë pra ashtu si të mësuarit kur ecën, ku prindi hap krahët dhe i thotë hajde këtu, ai duke vrapuar, rrëzohet, ngrihet vetë dhe fillon të ecë përsëri, kështu është edhe me të folurin.

Fëmija ndihmohet të flasë duke komunikuar me të, jo duke e korigjuar, përsëritja e asaj që mezi e tha është e gabuar, jo me nervozizëm, por duke i folur të qetë, me ngadalë, plot melodi, duke e parë në sy, këto janë kushtet që ndihmojnë një zhvillim të mirë gjuhësor.

Fëmija duhet të jetë i pranishëm në biseda me të gjithë familjen, marrja e fjalës, vazhdimi i bisedës, të qeshurat gjatë saj, kënaqësia që merr nga të folurit do ta nxisë fëmijën të bëjë si të mëdhenjtë e familjes. Duhet ti japësh fëmisë të kuptojë që të flasësh është kënaqësi, dëshirë, domosdoshmëri, pra fëmija e kësaj moshe duhet të konsiderohet si një bashkëbisedues i privilegjuar.

Në këtë moshë një nxitje e mirë janë librat me figura, që të tërheqin vëmëndjen duke i emërtuar ose duke i treguar përralla çdo natë para se të flejë.

Janë bërë studime që fëmijët me mosrrjedhshmëri e kanë kofiçientin e inteligjencës mbi mesataren, . Mosrrjedhshmëria mund të kalojë por ka edhe raste që fillon instalohet dalëngadalë si mënyrë të foluri kur ata nuk ndihmohen.

Disa pika trajtimi orientuese për prindërit:

 

-          Asnjë ndërhyrje në mënyrën se si flet fëmija

-          Të flasim vetë mirë duke i dhënë rëndësinë e nevojshme bisedës me fëmijën dhe duke e konsideruar atë si bashkëbisedues.

-          Të merremi me komunikimin jo me të folurin. Asnjë këshillim, qortim, korigjim apo thuaje kështu jo ashtu por vetë e folura jonë të jetë sa më normale, jo me nervozizëm, melodioze dhe e kuptueshme për fëmijën.

-          Kurrë mos flasim si ai apo ta imitojmë

-          Fëmija në kohën e mosrrjedhshmërisë ka nevojë për një ambjent të qetë dhe me lojra fizike apo shëtitje në natyrë.

-          Të evitojmë padurimin.

-          Ta nxisim të prekë sende të ndryshme për të ndjerë shumëllojshmërinë e tyre, të ndihmojmë të dëgjojë e të dallojë zhurmat e ndryshme dhe zëra apo fjalë, ta pyesim se cfarë bëre në kopsht etj.

-          Të punojmë me albumet e fotografive apo libra me figura dhe ti komentojmë bashkë me fëmijën.

-          Ti krijojmë  fëmijës në cepin e bibliotekës këndin e tij të librave, ta nxisim të shkojë vetë pa e detyruar

-          Nuk duhet ta vëmë asnjëherë në pozitë fëmijën përpara të tjerëve duke i thënë na recito, na këndo etj. Pra jo me detyrim duhet të recitosh vetë apo të këndosh vetë dhe pastaj thuaji fëmijës të bëjë si ty.

-          Fëmijën merre me vehte në vizita dhe jepi të kuptojë që ti krenohesh me të.

-          Në momente qetësie i këndojmë këngë për fëmijë apo ninulla të ndryshme, përralla të shkurtra e të kuptueshme dhe me intonacione të ndryshme të zërit në mënyrë që të lindë tek ai mendimi se sa thjeshtë eshtë të flasësh.

-          Luajmë sa më shumë me të por duhet të tregojmë se ka edhe rregulla, ka fillim dhe mbarim dhe kur bën gabime nuk jemi të kënaqur nga sjellja e tij, si dhe duke mos ja plotësuar tekat dhe ta ndihmojmë për dëshirat e tij.

Trajtimi i aktivitetit të të folurit në këtë periudhë nxit ndjeshëm aftësitë gjuhësore dhe në rast mosrrjedhshmërie e cila kalon pa lënë gjurmë në të folurën e tij sepse trajtimi bëhet shkak i bëlbëzimit që është një problem i madh për komunikimin.