Tema:    Zhvillimi i fëmijës në mjedisin social.

Zhvillimi i fëmijës është më shumë se rritja fizike dhe shëndeti. Ai përfshin zhvillimin mendor, emocional, social, kulturor dhe shpirtëror. Zhvillimi lidhet me fëmijën si individ dhe është një proces për realizimin e potencialit të brendshëm të çdo fëmije. Fëmijëria duhet parë si një proces ndryshimesh në vazhdimësi gjatë të cilit ata arrijnë të zotërojnë nivele të menduari dhe veprimi gjithnjë e më komplekse, ndërkohë që ata lëvizin vazhdimisht drejt vendosmërisë dhe pjekurisë perfekte. Vitet e hershme të fëmijërisë janë të rëndësishme për zhvillimin dhe mirëqenien e tij duke vendosur themelet për fitimin e aftësive kryesore që do të ndikojnë më pas në sjelljen, të mësuarin dhe shëndetin.

Vitaliteti i fëmijës është i jashtëzakonshëm sepse ai zotëron një energji aq të madhe e cila përpiqet të shprehet me çdo kusht pavarësisht kushteve në të cilat ai ndodhet, prandaj duhet lënë i lirë të shprehet ashtu siç është dhe aty ku është duke mos e sforcuar aspak zhvillimin e tij.

Potenciali për zhvillim është i lindur dhe i shkruar në gjenet e çdo qenieje njerëzore, por realizimi aktual i tij është gjithmonë i varur nga mjedisi dhe ndërveprimi social që e mbështet. Nga studimet bashkëkohore është nxjerrë konkluzioni se:

 

Mjedisi social ku fëmija rritet ndikon jo vetëm në rritjen e numrit të qelizave të trurit por dhe në mënyrën sesi ato lidhen me njëra-tjetrën.

Fëmija rritet çdo ditë dhe iniciativa të reja e shtyjnë atë të zotërojë hapësirën e lirisë së tij. Ata kanë nevojë të mësojnë se cilat sjellje janë të pranueshme dhe cilat jo.

 

Zhvillimi Social

Zhvillimi social është proces që ndodh gjatë gjithë jetës dhe Ericson përshkroi tetë stade ku kalon një qenie njerëzore prej lindjes deri në vdekje. Çdo stad kalon një krizë dhe nëse e përballon me sukses kalon tek stadi tjetër. Gjatë vitit të parë të jetës stadi që e shoqëron këtë moshë është “besimi kundrejt mosbesimit”. Duke qenë se foshnjat varen plotësisht nga të tjerët ato shpresojnë se do të ndihmohen dhe asnjëherë nuk do të dëmtohen. Në qoftë se jeta e një fëmije 0-1 vjeç është e pasigurt tek to do të zhvillohet frika dhe mosbesimi ndaj të tjerëve.

Gjatë vitit të dytë të jetës fëmijët kanë mundësi të formojnë një “ndjenjë autonomie”. Ata kuptojnë se në një farë mënyre kanë liri dhe aftësi për të bërë disa veprime të pavarura nga njerëzit që i rrethojnë. Aspekt i rëndësishëm i zhvillimit të autonomisë është mënyra sesi fëmijët reagojnë, sa të përgjegjshëm janë ndaj procesit të mësuarit, të mënyrës sociale për t’u rinuar etj. Kur të tjerët janë kritikues, fëmijët krijojnë në mendje dyshime lidhur me pavarësinë.

Gjatë “stadit të lojës” i cili zgjat 3-5 vjeç fëmijët duhet të formojnë një ndjenjë iniciative. Në këtë stad fëmijët duhet të jenë në gjendje që të bëjnë plane në mënyrë të pavarur të cilët i udhëheq vetëdija e tyre. Veprimet e prindërve, në të shumtën e rasteve shpërblehen në këtë stad. Prindi, i cili ndëshkon iniciativën e fëmijës mund të krijojë tek ky i fundit ndjenja faji të cilat çojnë në humbjen e besimit te vetja.

Familjet me më shumë se një fëmijë duhet të kuptojnë se fëmijët më të vegjël janë të dobët dhe kanë nevojë për mbrojtje dhe mbështetje të veçantë nga prindërit por në të njëjtën kohë atyre duhet t’i lihet hapësira e mundshme fizike dhe sociale për të qenë aktiv në zhvillim. Ata duhet të kenë mundësi të luajnë, bashkëveprojnë, eksplorojnë mjedisin rreth tyre, të mendojnë për vetveten si dhe të njihen mendimet dhe pikëpamjet e tyre. Në këtë mënyrë arrin të zhvillohet dhe të formohet personaliteti i vetë fëmijës. 

 

Procesi i identifikimit të vetes- Fazat kryesore.

§ Fëmija bën dallimin e vetes nga të tjerët.

§ Fëmija bashkëvepron, lidhet me të tjerët.

§ Fëmija vëzhgon dhe imiton sjelljet e të tjerëve.

§ Fëmija shpërblehet në rastin e shfaqjes së një sjelljeje pozitive.

§ Fëmija identifikon mjedisin si pasojë e aftësive njohëse për të kuptuar veten si pjesë e një grupi dhe dëshirën për të qenë anëtar i po këtij grupi.

 

Në procesin e identifikimit fëmijët e moshës tre-pesë vjeç e shohin veten të ngjashëm me prindërit, i imitojnë ata, përshtatin vlerat dhe qëndrimet me ta. Prandaj nuk është aspak për t’u çuditur nëse djemtë nisin të veprojnë si “babai” dhe vajzat të vishen si “nëna”. Gjithashtu shumë djem të kësaj moshe parashkollore kanë prirjen për të qenë më agresivë, ndërsa vajzat janë më shumë të pritura drejt të folurit dhe komunikimit, megjithatë këto aspekte shpeshherë janë të ndikuara nga familja dhe kultura.

Këto sjellje përforcojnë sensin e tyre e të qenit djalë ose vajzë. Gjatë pesë viteve të para të jetës fëmija krijon identitetin e tij brenda familjes. Ajo çka është më rëndësishmja për ta është të kuptojnë rolin e tyre brenda saj. Prindërit janë të kënaqur kur fëmija fillon dhe bëhet miqësor në marrëdhëniet e tij jashtë shtëpisë. Këto marrëdhënie mund të ndikojnë për keq ose për mirë në sjelljen e fëmijës. Prindi duhet t’i kushtojë vëmendje nxitjes së individualitetit të fëmijës e cila ndihmon për të përcaktuar kufijtë brenda të cilëve zhvillohet lëvizja e fëmijës jashtë shtëpisë. Fëmijët nisin të përqendrohen më shumë në karakteristikat e jashtme si: të emrit, të moshës, shtëpisë, familjes, shokëve dhe aktiviteteve të tjera argëtuese.

Fëmija në këtë moshë:

§ Flet rreth familjes së tij.

§ Di emrin e vendit ku jeton.

§ Tregon sesi mund të luhet një lojë dhe i krijon vetë ato.

§ Bëhet pjesëtar i lojërave të zhvilluara në grup duke ndjekur rregullat e saj.

 

Sa social mund të jetë një fëmijë?

§ Shumë i shoqërueshëm- Fëmijët e shoqërueshëm janë të kënaqur kur ata rrethohen, luajnë, bashkëveprojnë me fëmijë dhe të rritur të tjerë.

§ I ngadalshëm në shoqërim- Këta janë fëmijë më të ndrojtur, më të tërhequr nga shokët dhe të huajt. Ata kanë nevojë për më tepër kohë që të ndjehen të qetë e të sigurt kur të bashkohen më të tjerët. Ata mund të ndjehen të lumtur nëse luajnë vetëm apo me një ose dy fëmijë të tjerë.

  

Loja, pjesë e zhvillimit social të fëmijës.

Një fëmijë i shëndetshëm është ai që argëtohet, luan dhe gërmon çdo gjë rreth tij. Kjo është e vlefshme si për atë që luan vetëm,por dhe për atë që luan në praninë e të tjerëve. Të mos e lejosh një fëmijë në këtë moshë të luajë, do të thotë t’i heqësh atij kënaqësinë e jetës. Nëpërmjet lojërave zbulohen mënyra të reja të foluri, interesa dhe kënaqësi të cilat reflektohet kur ata pëlqejnë të luajnë këtë apo atë lojë. 

Duhet ditur se  për një fëmijë që është i ndjeshëm, inteligjent, të luajë duke ndenjur në heshtje ndaj vetes dhe ndaj botës rreth tij. Ky veprim, vendos mendjen dhe trupin në harmoni të plotë me hapësirën dhe kohën që ai kalon, duke u lidhur plotësisht me ambientin në të cilin ai ndjehet i lumtur. Mund të jetë krejtësisht spontane,tek shumë fëmijë të cilët në disa momente janë energjikë, të gëzuar si shumë moshatarë të tyre të cilëve u pëlqen të luajnë vetëm ose me shokë.