Dhëmbët e fёmijёve

Dhëmbët e parë që i dalin fëmijës quhen dhëmbët e qumështit ose dhëmbë të përkohshëm. Quhen kështu pasi ata zëvendësohen nga viti 5-6 nga dhëmbët e përhershëm. Dhëmbët e qumështit janë 20, ndërsa dhëmbët e përhershëm  janë 32.

Kur fillojnë të dalin dhëmbët.

Tek fëmijët e shëndetshëm  zakonisht fillojnë të dalin nga muaji i 6-të megjithёse ka raste që dalin edhe në muajt e 7-të e 8-të edhe kur fëmija është plotësisht i shëndetshëm. Vërehen edhe raste  të jashtëzakonshme kur femija lind edhe me dhëmb në gojë. Kjo nuk flet për zhvillim të parakohshëm të fëmijës. Si dhëmbët e shfaqur që në lindje ose ata që dalin shumë shpejt ka mundësi të bëhen shkak  për dëmtimin e gjirit të nënës. Dalja e dhëmbëve me vonesë, pas muajit të nëntë krijon shqetësim tek prindërit dhe është e drejtë që ata të këshillohen  me mjekun. Ka raste kur ky fenomen është i lidhur me rakitin, me çrregullime të kockave ose të disa gjëndrrave te brendëshme.

Radha e daljes së dhëmbëve.

Në shumicën e rasteve, në fëmijët e shëndetshëm, nga muaji i 6-të deri në muajin e 12-të dalin 8 dhëmbët  prerës. Që janë katër poshtë dhe katër lart. Së pari dalin dy dhëmbët prerës të poshtëm që zënë vendin qëndror dhe pas tyre dalin dy të sipërmit. Më pas dy prerësit anësorë të sipërm dhe dy anësorët e poshtëm. Nga muaji i 12-të deri në muajin e 18-të dalin katër dhëmballët e para, dy lart dhe dy poshtë. Nga muaji i 12-të deri në muajin e 24-t dalin katër dhëmbët e syrit. Nga muaji i 24-t deri në muajin e 30-të dalin katër dhëmballët e dyta. Ka raste kur nuk ndiqet kjo radhë dhe ky ndryshim  mund të ndodhë pa ndonjë shkak të veçantë.

Rëndësia e dhëmbëve për shëndetin e fëmijës

Si dhëmbët e qumështit ashtu  edhe dhëmbët e përhershëm kanë rëndësi shumë të madhe për shëndetin e fëmijës. Dhëmbët kanë veprimin e tyre kryesor për përtypjen dhe përpunimin e mirë të ushqimeve. Veprimtaria e përtypjes fillon nga muajt e fundit të vitit të parë dhe vazhdon për gjithë jetën. Çrregullimet, dëmtimet dhe sëmundjet e dhëmbëve pengojnë përpunimin e tretjen e mirë e të plotë të ushqimeve dhe kështu bëhen shkak për dëmtime të aparatit tretës dhe të gjithë organizmit. Çrregullimet e dhëmbëve mund të pengojnë të folurit qartë. Ato mund t’i japin fytyrës pamje jo të hijshme, kjo gjendje vërehet veçanërisht kur përputhja e dhëmbëve të sipërm me ata të poshtmit nuk është e plotë.

Kujdesi për dhëmbët

Kujdesi për dhëmbët fillon që me dhëmbët e qumështit nga fundi i vitit të parë. Është e rëndësishme të mësojmë fëmijën të përtypë mirë ushqimet. Kur ushqimi përmban  sheqerna ose brumëra është mirë t’i japim në fund një  sasi të vogël ushqimi që pastron mirë dhëmbët si p.sh. një copë mollë ose karotë. Fëmijës mund t’ia pastrojmë dhëmbët me një garzë të lagur me pak sodë buke dhe është mirë të mësohet të shplajë gojën  pas çdo ushqyerje. Duhet mësuar gjithashtu, pas vitit të dytë, të përdorë furçën e dhëmbëve në mënyrë korekte. Veçanërisht në darkë pastrimi i dhëmbëve është i domosdoshëm për mirëmbajtjen e tyre.

    Sёmundjet e mukozёs sё gojёs janё njё specialitet e fushёs sё stomatologjisё por qё i pёrkasin edhe

degёs sё pediatrisё. Pediatri duhet tё vёrё re gojёn nё tёrёsi, daljen e dhёmbёve, mukozёn e gojёs, gjuhёn dhe bajamet nё thellёsi. Vёzhgimi i tyre mund tё japё diagnoza tё sёmundjeve tё ndryshme.

Mukoza e gojёs quhet veshja e zgavrёs sё gojёs: e pjesёs sё brёndshme tё buzёve, faqeve, e proҫesit alveolar, qiellzёs, gjuhёs dhe dyshemese sё gojёs. Ajo pёrbehet nga epiteli (pjesa mё e jashtme, e dukshme) dhe nga indi lidhor nёn tё. Ngjyra e saj normale ёshtё rozё e zbehtё, qё mund tё shoqёrohet me ngjyrime tё lehta racore. Ashtu si edhe lёkura, mukoza e gojёs luan njё rol tё rёndёsishёm nё mbrojtjen e indeve dhe organeve qё gjёnden nёn tё nga traumat, mikroorganizmat dhe substancat e ndryshme kimike. Ajo ka aftesi per tё kapur ndjesitё e temperaturёs, prekjes, dhimbjes dhe shijes, si dhe merr pjesё nё njё sёrё refleksesh si pёr shembull ai i gelltitjes. Me anё tё gjёndrave tё vogla qё pёrmban, ajo luan njё rol edhe nё prodhimin e pёshtymёs.